Po përmendeshin ngjarjet nga jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe unë do të vazhdoj ta trajtoj këtë temë edhe sot.
Beteja “Hamra ul-Esed”
Në lidhje me betejën e Hamra-ul-Esedit, është shkruar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye nga (Beteja e) Uhudit ditën e shtunë. Të dielën, në kohën e sabahut, Hazret Bilali thirri ezanin dhe ndenji duke pritur që të dilte Pejgamberi s.a.v.s.. Ndërkohë erdhi Hazret Abdullah ibn Amr ibn Auf Muzeniu dhe ai po kërkonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Kur hyri Profeti s.a.v.s. në xhami, u ngrit Abdullahu dhe i tregoi se ai sapo është kthyer nga të afërmit e tij dhe kur ishte në Melel, ka parë se kurejshët kanë ngritur atje një kamp ushtarak.
Melel është emri i një vendi i cili ndodhej në rrugën për në Mekë, dhe në një distancë prej 28 miljesh nga Medina. Ai gjithashtu tregoi se kishte dëgjuar Ebu Sufjanin dhe shokët e tij duke thënë: “Ju nuk keni arritur asgjë! Ju u shkaktuat dëme muslimanëve dhe u sollët shkatërrime të mëdha, por pastaj ju i latë ata dhe nuk i asgjësuat”. Mosbesimtarët iu përgjigjën: “Ka mbetur ende shumë individë të shquar në mesin e tyre, të cilët do të mblidhen kundër jush. Prandaj, më mirë të kthehemi dhe t’i kërdisim ata individë që kanë mbetur pas”. Safvan ibn Umeja ishte ulur në mesin e jobesimtarëve dhe e kundërshoti këtë mendim dhe i ndaloi të vepronin kështu. Ai u tha: “O populli im! Mos e bëni këtë, pasi ata tashmë ju kanë luftuar. Kam frikë se ata që më parë nuk ishin pjesë të ushtrisë, tani do t’u bashkohen të tjerëve për t’ju luftuar. Ne duhet të kthehemi pasi kemi shënuar fitore, dhe kam frikë se nëse kthehemi prapë për luftë, do të pësojmë disfatë.“
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe Hazret Omerin r.a. dhe i njoftoi për atë që i kishte thënë sahabiu Muzeni. Në përgjigje, të dy i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Le të lëvizim me shpejtësi drejt armikut që ai të mos ketë mundësi për të sulmuar fëmijët tanë!” Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kreu namazin e sabahut, ai i mblodhi njerëzit dhe e porositi Hazret Bilalin që të lajmëronte se “i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po ju urdhëron të përparoni drejt kampit të armikut dhe për këtë sulm do të dalin vetëm ata, të cilët kishin luftuar dje. (d.m.th., vetëm ata muslimanë të cilët ishin të pranishëm në betejën e Uhudit një ditë më parë). I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kërkoi flamurin e tij, i cili ishte ende i lidhur në shtizë dhe nuk ishte hapur akoma. Profeti s.a.v.s. ia dorëzoi këtë flamur Hazret Aliut r.a. dhe është përmendur gjithashtu se flamuri i ishte dhënë Hazret Ebu Bekrit r.a..[1]
Kur kolona e ushtrisë muslimane mbërriti në Hamra el-Esed, i cili ndodhet në një distancë prej tetë miljesh nga Medina, idhujtarët mekasë u frikësuan dhe braktisën idenë për të sulmuar Medinën, dhe u kthyen në Mekë.[2]
Beteja e Benu Nedhirit
Beteja e Benu Nedhirit u zhvillua në vitin 4 hixhri. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i shoqëruar me një grup të vogël sahabësh, shkoi te njerëzit e Benu Nadhirit. Ka transmetime të ndryshme që shpjegojnë pse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte shkuar tek ata. Sipas një transmetimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi tek ata për të marrë paratë e gjakut të dy njerëzve të vrarë të fisit Benu Amir, të cilët ishin vrarë prej tyre. Profetin e Shenjtë s.a.v.s. e shoqëronin 10 sahabë, duke përfshirë Hazret Ebu Bekrin r.a., Hazret Omerin r.a. dhe Hazret Aliun r.a..
Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti atje dhe kërkoi shumën e shpagimit, hebrenjtë i thanë: “Po, o Ebu al-Kasim! Hani bukën njëherë dhe pastaj të shohim çështjen që keni sjellë.” Në atë moment, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte ulur pas murit të kështjellës. Hebrenjtë filluan të bisedojnë fshehurazi me njëri-tjetrin dhe thurën një komplot duke thënë: “Nuk kemi mundësinë më të mirë për të hequr qafe prej këtij njeriu (dmth. prej Profetit të Shenjtë s.a.v.s.). Kush nga ne do të ngjitet në çatinë e kësaj fortese dhe do t’i bjerë një gur të rëndë, që ne të shpëtojmë prej tij.” Pas kësaj, Amr ibn Xhehashi, një prijës i hebrenjve, pranoi t’i përgjigjej thirrjes dhe tha: “Unë jam gati për këtë detyrë”. Por menjëherë pas kësaj, Selam ibn Mishkami, një prijës tjetër hebre, shprehu kundërshtimin ndaj këtij komplot, dhe tha: “Në asnjë rrethanë nuk duhet ta ndërmerrni këtë hap. Betohem në Zot, ai (I Dërguari i Allahut) me siguri do të informohet për këtë plan që keni kurdisur. Ky është një akt tradhtie sepse ne kemi nënshkruar marrëveshje me ta.”
Megjithatë, njeriu i cili duhet të hidhte gur mbi Profetin s.a.v.s. ishte ngjitur në majë të fortesës, ndërkohë Zoti e njoftoi të Dërguarin e Tij s.a.v.s. për këtë veprim tinëzak që hebrenjtë kishin thurur kundër tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. brofi menjëherë dhe pa thënë asgjë, u largua nga vendi, duke i lënë sahabët aty. Ai u kthye me nxitim në Medinë, sikur të kishte një punë të rëndësishme.
Pasi mbërriti në Medine, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi Hazret Muhammed ibn Meslemen te Benu Nedhiri me një mesazh të qartë, në të cilin thuhej: “Jeni urdhëruar të largoheni nga qyteti im (d.m.th. nga Medina). Ju nuk keni më asnjë të drejtë të jetoni në qytetin tim. Komploti që kishit përgatitur kundër meje ishte një akt tradhtie.” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u dha hebrenjve një afat 10 ditor për t’u larguar nga Medina, por ata refuzuan dhe thanë se nuk do të largoheshin kurrë nga vendlindja e tyre. Kur morën këtë përgjigje, muslimanët u përgatitën për një ndeshe të armatosur. Kur të gjithë muslimanët u mblodhën, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. udhëhoqi ushtrinë muslimane për t’u ndeshur me Benu Nedhirin. Flamurin ushtarak e mbante Hazret Aliu r.a.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i rrethoi kalatë e tyre dhe askush nga aleatët e Benu Nedhirit nuk u shfaq për t’i ndihmuar ata. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mobilizoi ushtarët e tij kundër Benu Nedhirit dhe në kohën e jacisë, u kthye në shtëpinë e tij në Medinë me 10 shokë.
Sipas një transmetimi, në atë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte besuar udhëheqjen e ushtrisë muslimane Hazret Aliut r.a., ndërsa sipas një transmetimi tjetër, ky nder i ishte dhënë Hazret Ebu Bekrit r.a.. Nga njëra anë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vuri një rrethim të rreptë, dhe nga ana tjetër, Allahu i Plotfuqishëm u futi hebrenjve frikën e muslimanëve. Së fundi, ata i kërkuan Profetit të Shenjtë s.a.v.s. që t’u falte jetën dhe t’i lejonte të largoheshin nga Medina. Ata gjithashtu kërkuan që t’u lejohej të merrnin me vete, përveç armëve, të gjitha sendet e tyre që ata mund të ngarkonin në devetë e tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ua pranoi këtë kërkesë.
Sipas një transmetimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte rrethuar Benu Nedhirin për 15 ditë, ndërsa disa transmetime dallohen në përcaktimin e ditëve të përmendura.[3] Me lejen e ensarëve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpërndau midis muhaxhirëve të gjithë plaçkën e luftës të fituar në betejën e Benu Nedhirit. Pas kësaj, Hazret Ebu Bekri r.a. iu drejtua ensarëve dhe u tha: “O grup i ensarëve, Allahu ju dhëntë shpërblimin më të mirë!”[4]
Beteja e premtuar në “Bedr”
Beteja e Bedr el-Mo’id ndodhi në vitin 4 hixhri. Arsyeja që nxiti këtë ekspeditë ushtarake ishte se kur Ebu Sufjan ibn Harbi po kthehej nga Beteja e Uhudit, ai kishte thënë me zë të lartë: “Vitin tjetër do të ndeshemi përsëri me njëri-tjetrin në Bedër es-Safra dhe do të përballemi me njëri-tjetrin”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi Hazret Omerin r.a. të përgjigjej: “Insha-Allah (në dashtë Allahu!)”. Pastaj, të dyja palët morën rrugën e tyre. Kur kurejshët u kthyen në Mekë, ata njoftuan njerëzit e tyre për këtë marrëveshje.
“Bedër” është një pus i njohur midis Mekës dhe Medinës dhe ndodhet mes luginës së Safras dhe Xherit. Badr ndodhet 150 km në jug-perëndim të Medinës. Në kohën e injorancës (në periudhën para-islame) këtu mbahej një festë e madhe që nga 1 Dhul Ka’deh, e cila zgjatej 8 ditë. Sa më shumë afrohej koha e caktuar, Ebu Sufjani bëhej gjithnjë e më shumë i palëkundur për t’u nisur te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Atij i kishte hyrë frika e prandaj nuk donte të dilte kundër Profetit s.a.v.s. në kohën e dakorduar. Ebu Sufjani po bënte sikur po ngrinte një ushtri të stërmadhe për të mësyrë muslimanët. Qëllimi i tij ishte që lajmi i një ushtrie të madhe, të mbërrinte në Medinë si dhe në çdo cep të Arabisë dhe në këtë mënyrë t’u kallte frikë muslimanëve.[5]
Sipas një transmetimi, Hazret Ebu Bekri r.a. dhe Hazret Omeri r.a. shkuan te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Sigurisht Allahu do ta mbizotërojë fenë e Tij dhe do ta nderojë Profetin e Tij s.a.v.s.. Ne i kemi dhënë fjalë popullit tonë dhe nuk duam ta shkelim atë. Ndryshe, mohuesit do ta quajnë këtë si një qëndrim frikacak. Ju lutemi, duhet të udhëhiqni ushtrinë sipas marrëveshjes, sepse pasha Zotin, ne shikojmë hair në të.” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u gëzua pa masë, kur dëgjoi fjalët e tyre plot emocione.
Më vonë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori lajmin se Ebu Sufjani, gjithashtu ka mobilizuar një ushtri të madhe, ai emëroi Hazret Abdullah ibn Ravaha si kryetar të Medinës në mungesë të tij. Sipas një transmetimi tjetër, Profeti s.a.v.s. caktoi Abdullah ibn Abdillah ibn Ubej bin Sulul si kryetar i Medinës, ndërsa flamurin e tij, ia besoi Hazret Aliut r.a.. Kur u nis i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bashkë me sahabët e tij për në Bedr, ushtria muslimane përbëhej nga 1500 muslimanë. Gjatë qëndrimit të tyre në Bedër, muslimanët bënë tregtinë në panairin që po zhvillohej dhe nxorën mjaft fitime nga shitblerjet e tyre. Pasi qëndruan atje për 8 ditë, muslimanët u kthyen në Medine.[6]
Muslimanët u angazhuan në tregti në atë festë me mendimin se nëse do të ndodhte beteja, atëherë do të ishte ashtu, por nëse nuk ndodh, atëherë ata të paktën mund të bënin ndonjë biznes atje dhe muslimanët përfituan shumë nga kjo. .
Më pas shkruhet se gjatë Betejës së Uhudit, Ebu Sufjani i sfidoi muslimanët për të luftuar vitin e ardhshëm. Detaje të mëtejshme për këtë janë regjistruar nga Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahib. Ai shkruan: “Pas betejës së Uhudit, Ebu Sufjani duke u kthyer nga fusha e betejës, i sfidoi muslimanët për t’u ndeshur përsëri vitin e ardhshëm në Bedr dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. njoftoi për pranimin e kësaj sfide. Prandaj, vitin e ardhshëm, në vitin 4 hixhri në fund të muajit Sheval, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis nga Medina me një ushtri prej 1500 sahabësh dhe emëroi Abdullah ibn Abdillah ibn Ubej si emir në mungesë të tij. Nga ana tjetër, edhe Ebu Sufjan ibn Harbi u nis nga Meka me ushtri kurejshe, të përbërë nga 2000 ushtarë.
Megjithatë, përkundër fitores në Uhud dhe me një ushtri kaq të madhe, ai ishte i frikësuar dhe edhe pse ishte i vendosur për shkatërrimin e Islamit, ai dëshironte të mos përballej me muslimanët derisa të mobilizonte një ushtri më të madhe. Kur ishte ende në Mekë, ai dërgoi në Medinë një përfaqësues që quhej Nuejm, i cili i përkiste një fisi që ishte asnjanës midis dy palëve, dhe e udhëzoi prerazi që në çfarëdo mënyre të mundshme, duhet t’u kallte frikë muslimanëve dhe t’i kërcënonte ata. Ai i kishte thënë për t’i trilluar historitë e paqena vetëm për t’i penguar ata të nisen për në luftë. Prandaj, ky person erdhi në Medine dhe u tregoi muslimanëve histori të sajuara rreth përgatitjes, fuqisë, entuziazmit të Kurejshëve, dhe kështu krijoi tensione dhe panik në Medine.
Gjendja ishte e tillë që disa njerëz të dobët filluan të tregonin frikë për të marrë pjesë në betejë. Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i inkurajoi muslimanët të dilnin përpara dhe mbajti një fjalim dhe u tha: “Ne tashmë e kemi pranuar sfidën e Kurejshëve dhe kemi premtuar se do të nisemi për këtë përballje, prandaj nuk mund të kthehemi prapa. Edhe nëse më duhet të nisem vetëm, do të shkoj dhe do të qëndroj i palëkundur përballë armikut”. Fjalët e Proefetits.a.v.s., largoi frikën e njerëzve dhe ata u përgatitën të niseshin bashkë me të me një entuziazëm dhe përkushtim të madh. Kështu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis nga Medina me 1500 sahabë dhe në anën tjetër Ebu Sufjani u nis nga Meka me 2000 ushtarë të tij. Me mëshirën e Zotit muslimanët mbërritën në Bedër sipas premtimit të tyre, por ushtria e Kurejshëve pasi bëri njëfarë udhëtim, u kthye prapë në Mekë.
Është përmendur se kur Ebu Sufjani mësoi për dështimin e misionit të Nuajmit, ai u frikësua tej mase dhe pasi udhëtoi pak, u tërhoq bashkë me ushtrinë e tij në Mekë duke u thënë: “Këtë vit thatësira e madhe na ka rënduar gjendjen dhe njerëzit po përballen me vështirësi të mëdha. Prandaj nuk është një veprim i mençur nëse luftojmë në këtë kohë. Ne do ta sulmojmë Medinën me një përgatitje më të madhe kur të vijë koha e begatisë.”
Ushtria muslimane qëndroi në Bedr për 8 ditë, dhe meqenëse atje zhvillohej çdo vit një panair tregtar në fillim të muajit Dhul Ka’deh, gjatë festës, shumë sahabë u morën me tregti dhe arritën të nxirrnin fitime të konsiderueshme. Madje, gjatë kësaj tregtie tetë ditore, ata arritën të dyfishonin kapitalin e tyre fillestar. Kur panair mbaroi dhe ushtria e Kurejshëve nuk u shfaq kurrkund, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis nga Bedri dhe u kthye në Medine.
Kurejshët u kthyen në Mekë dhe filluan të përgatiteshin për një sulm kundër Medinës. Kjo betejë njihet si Beteja e “Bedrul-Mauidit”.[7]
Beteja “Benu Mustalik”
Beteja “Benu Mustelik” u zhvillua në Shaban të vitit 5 hixhri. Emri tjetër i kësaj beteje është “Murejsi”.[8]
Benu Mustaliku ishin nëndega e fisit Khuza’ah. Ky fis ishte përqendruar pranë një pusi të quajtur Murajsi’. Ata jetonin në një distancë prej një dite udhëtimi nga Furu’ dhe Furu’ është afërsisht 96 milje nga Medina.[9]
Sipas Alama Ibn Is’hakut, beteja “Benu Mustalik” u zhvlliua në vitin 6 hixhri, ndërsa sipas Musa ibn Ukbasë kjo betejë ndodhi në vitin 4 hixhri. Vakidi është i mendimit se beteja ka ndodhur në Shaban të vitit 5 hixhri.
Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahib r.a. ka shkruar se beteja ishte zhvilluar në vitin 5 hixhri. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi se ithtarët e Benu Mustalikut po planifikonin të bënin një sulm ndaj muslimanëve, ai s.a.v.s. marshoi drejt tyre në Shaban të vitit 5 hixhri bashkë me 700 shokë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia dha flamurin e muhaxhirëve Hazret Ebu Bekrit r.a.. Sipas një transmetimi tjetër, Profeti s.a.v.s. i kishte dhënë flamurin e muhaxhirëve Amar ibn Jasirit dhe flamurin e ensarëve Hazret Sa’d ibn Ubades.[10]
Ngjarja e Ifkut (shpifjes)
Detajet në lidhje me ngjaren e Ifkut (shpifjes së madhe) janë si vijon: gjatë kthimit nga beteja “Benu Mustalik”, hipokritët bënë një shpifje të shëmtuar kundër Hazret Aishes r.a., vajzës së Hazret Ebu Bekrit r.a.. Kjo ngjarje njihet në historinë islame si ngjarja e Ifkut pra e shpifjes. Ekziston një rrëfim i Hazret Aishes r.a. në Sahih El-Buhari. Ndonëse e kam përmendur këtë rrëfim hollësisht në lidhje me një sahab tjetër, megjithatë, është e nevojshme që kjo ngjarja të përmendet sërish në lidhje me Hazret Ebu Bekrin r.a..
Transmetimi nga Hazret Aisheja r.a. është si vijon. Ajo rrëfen: “Ishte zakoni i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se kur kishte ndërmend të bënte një udhëtim, ai hidhte short mes bashkëshorteve të tij, pastaj merrte me vete atë që i binte shorti. Në një rast, para një fushate ushtarake, ai hodhi short në të njëjtën mënyrë, dhe shorti më ra mua. Kështu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më mori me vete. Kjo ishte koha kur urdhrat për hixhabin (mbulesën e grave) tashmë ishin shpallur. Prandaj, unë ulesha në një ndenjëse, e cila vendosej sipër shpinës së devesë dhe kur më duhej të zbrisja, ajo do të ulej në tokë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përfundoi fushatën ushtarake dhe beteja mbaroi, ne morën rrugën e kthimit drejt Medinës. Gjatë ndalimit të fundit, para qytetit të Medinës, një natë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. urdhëroi të niseshim. Kur e dëgjova këtë njoftim, u largova në një anë, larg ushtrisë. Pas kryerjes së nevojave personale, u ktheva te deveja. Por, kur preka qafën, zbulova se gjerdani im Azfar (të përbërë nga rruazat prej Jemenit) ishte rrëzuar.
U ktheva në kërkim të gjerdanit dhe u vonova duke kërkuar atë. Ndërkohë, erdhën ushtarët që duhet të ngrinin ndenjësen dhe ta vendosnin në shpinën e devesë. Ata kujtuan se unë gjendesha brenda saj, prandaj e ngritën dhe e vendosën mbi deve.”
Hazret Aishja r.a. tregon më tej: “Shërbëtorët menduan se unë isha brenda ndenjëses, sepse në atë kohë, gratë ishin të lehta në peshë dhe nuk shëndosheshin, pasi hanin shumë pak ushqim. Pra, shoqëruesit nuk dyshuan aspak se ndenjësja ishte jashtëzakonisht e lehtë kur e ngritën. Në atë kohë, unë isha ende një vajzë e re. Ata shkuan përpara me devenë, ndërkohë unë e gjeta gjerdanin, por derisa të kthehesha, ushtria ishte larguar dhe nuk gjeta asnjëri atje.
Më pas shkova në vendin ku ushtria kishte vendosur kampin, por mendova me vete që të kthehesha në vendin ku qëndronte deveja ime, sepse kur njerëzit do të kuptojnë se kam mbetur mbrapa, ata me siguri do të ktheheshin. U ula në vend dhe shpejt më zuri gjumi. Pas ushtrisë ishte Safvan ibn Muatal Sulemi Dhekvani. Kur ai erdhi për të kontrolluar vendin në mëngjes, dalloi dikë të fjetur dhe m’u afrua mua. Ai më kishte parë para se të zbriste urdhri i mbulesës. Unë u zgjova kur e dëgjova duke thënë:إنَّا لِلّهِ (Ne jemi të Allahut).
Pastaj, ai më afroi devenë e tij dhe e bëri të gjunjëzohej pranë meje. Ai ktheu këmbën e devesë dhe unë i hipa asaj, dhe Safvani filloi ta udhëhiqte devenë derisa arritëm te ushtria muslimane në mesditë, kur të gjithë po pushonin. Pastaj, ata që ishin të destinuar të përçudnoheshin, rrënuan veten e tyre. Përkrahësi kryesor që ishte përgjegjës për përhapjen e kësaj shpifjeje ishte Abdullah ibn Ubej ibn Sululi.
Mbërritëm në Medine dhe (sa mbërritëm) unë rashë sëmurë. Kjo sëmundje zgjati një muaj, ndërkohë njerëzit përhapnin shpifjet e tyre. Gjatë sëmundjes, e vetmja gjë që më shqetësonte ishte sjellja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. sepse ai nuk më kushtonte të njëjtin kujdes siç më bënte përpara kur sëmuresha. Tani i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vinte, më përshëndeste dhe më pyeste: “Si je?”
Ndërkohë, deri atëherë, nuk kisha asnjë ide për këtë shpifje (që përhapej rreth meje) dhe sëmundja më kishte dobësuar dhe më kishte bërë të pafuqishme.
Një herë, unë dhe Umi Mistahu shkuam në Manasi, për të kryer nevojat. Për këtë qëllim, ne dilnim vetëm kur binte errësira. Kjo ishte para se të kishim nevojtore pranë shtëpive tona. (Në ato ditë, njerëzit nuk bënin nevojtore në shtëpitë e tyre). Gjendja jonë ishte si ajo e arabëve të vjetër, që dilnin në natyrë për t’i kryer nevojat. Kështu unë dhe Ummi Mistahu dolëm jashtë. Ne po ecnim, këmba i ngeci me shallin e saj dhe ajo tha: “Vdektë Mistahu!” Unë reagova dhe i thashë: “Sa e rëndë është ajo që keni thënë! A po e shani atë, i cili ka marrë pjesë në betejën e Bedrit?” Ajo m’u përgjigj: “O vajzë e pafajshme dhe naive! A nuk ke dëgjuar se çfarë po thonë njerëzit?” Pastaj ajo më tregoi shpifjet e njerëzve. Kjo ma rëndoi sëmundjen dhe kur u ktheva në shtëpi, erdhi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe pasi më përshëndeti, më pyeti: “Si je?” I thashë: “A do të më lejoni të shkoj te prindërit e mi?”
(Hazret Aishja r.a. kërkoi leje nëse mund të shkonte në shtëpinë e prindërve të saj). Ajo rrëfen në vijim: Sepse doja të isha e sigurt në lidhje me fjalët që përhapeshin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. më dha leje dhe unë shkova te prindërit e mi. Unë e pyeta nënën time: “O nënë! Çka po flasin njerëzit?” Ajo tha: “O vajza ime! Mos u brengos, sepse rrallë ndodh që dikush ka një grua të bukur, të cilën e do burri, megjithatë ai të ketë edhe gra të tjera përveç saj dhe ato t’i mos i gjejnë të metat asaj.”
Thashë “SubhanAllah (I Shenjtë është Allahu)! A po flasin vërtet njerëzit në këtë mënyrë?” Hazret Aishja r.a. më tej thotë: “Unë kalova tërë natën duke qarë deri në agim, as nuk mund të ndaloja së qari e as nuk më zinte gjumi.
Kur pati një vonesë në shpalljen hyjnore, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri Hazret Ali ibn Ebi Talibin r.a. dhe Hazret Osame ibn Zejdin r.a. të nesërmen në mëngjes për të kërkuar këshillën e tyre në lidhje me shkurorëzimin prej meje. Sa i përket Osames, ai tha për atë që dinte për mua, (dmth. duke u bazuar në marrëdhëniet e Profetit s.a.v.s. me Hazret Aishen r.a. dhe se se ajo ishte e devotshme dhe e virtytshme). Hazret Osama r.a. i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ajo është gruaja juaj dhe betohem në Allah, ne nuk ia dimë asaj asgjë tjetër veç mirësisë.” Për sa i përket Hazret Aliut r..a., ai i tha: “O i Dërguari i Allahut! Allahu nuk ju ka lënë asnjë shtrëngim dhe ka shumë gra të tjera përveç Aishes r.a.. Megjithatë, pyetni shërbëtoren e saj, ndoshta ajo di diçka dhe mund t’ju tregojë të vërtetën”.
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri Beriren dhe e pyeti: “O Berire! A ke vërejtur diçka të çuditshme tek Aisheja?” Berira u përgjigj: “Jo, betohem në atë Zot që ju ka dërguar me të vërtetën, nuk kam parë asnjë të metë tek ajo, përveç se është vajzë e re, dhe shpesh ndodh që ajo e lë brumin të zbuluar dhe e zë gjumi, ndërsa e ha dhia.”
Në të njëjtën ditë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbajti një fjalim në xhami dhe shprehu pikëllimin për Abdullah ibn Ubej ibn Selulin dhe tha: “O muslimanë! Kush do të më mbrojë nga ai njeri i cili më ka lënduar me deklaratat shpifëse kundër familjes sime? Pasha Allahun, familjes sime nuk i di asgjë përveç të mirës. Njerëzit gjithashtu kanë fajësuar një njeri për të cilin unë i di vetëm të mirat dhe i cili kurrë nuk ka hyrë në shtëpinë time përveçse me mua”. Me të dëgjuar këtë fjalim të Profetit s.a.v.s., Sa’d ibn Muadhi u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë do t’i jap fund kësaj shpifjeje. Nëse ky person është nga fisi Aus, ne do t’ia presim kokën, e nëse është nga vëllezërit tanë (d.m.th., nga fisi Hazrexh), ne jemi të gatshëm të bëjmë ashtu siç ju na urdhëroni.” Pas kësaj, u ngrit Sa’d ibn Ubada, prijësi i fisit Hazrexh. Ndonëse ishte një njeri i drejtë dhe i devotshëm, në atë kohë, ai u pushtua nga ndjenjat e flakta nacionaliste ndaj fisit të tij dhe tha: “Ti ke thënë shumë gabim. Pasha Allahun! Nuk mund ta vrisni atë dhe as nuk keni fuqi për ta bërë këtë.” (dmth. plasën grindjet midis dy fiseve).
Pas kësaj, u ngrit Usejd ibn Hudejri dhe tha: “Je ti në gabim. Pasha Zotin! Ne me siguri do ta vrasim atë. Ti je hipokrit sepse argumenton në emër të hipokritëve.” Ky shkëmbim vërejtjesh i zemëroi disa prej fiseve Aus dhe Hazrexh, dhe për pak shpërtheu një grindje e hapur, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili ishte ende në minber, zbriti dhe i qetësoi ata. Pastaj Profeti dhe të tjerët ranë në heshtje.
Hazret Aishja r.a. rrëfen më tej: “Unë kam qarë gjithë ditën dhe lotët e mi nuk pushuan. Meqë . tashmë ajo ishte në dijeni të situatës, por pavarësisht asaj që po ndodhte rreth saj, ajo nuk pushonte së qari. Ajo thotë: “As nuk më pushuan lotët dhe as nuk më zuri gjumi. Prindërit e mi erdhën tek unë. Kalova dy ditë e një natë në këtë gjendje dhe më dukej sikur gjoksi do të më plasej nga të qarat. Në atë kohë, të dy prindërit e mi ishin me mua, ndërsa unë po qaja me dënesë. Atëherë erdhi një grua nga ensarët, dhe kërkoi leje për të hyrë. Unë i dhashë leje dhe ajo gjithashtu nisi të qante me mua.
Në këtë moment erdhi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe u ul. Qëkur ishte përhapur shpifja rreth meje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ishte ndenjur me mua. Kishte kaluar një muaj, por asnjë shpallje hyjnore nuk ishte zbritur në rastin tim.”
Hazret Aishja r.a. më tej thotë: “I Dërguari i Allahut a.s. recitoi shehadetin, e pastaj tha: “O Aishe! Kam mësuar kështu e kështu për ty. Nëse je e pafajshme, besoj se Zoti do të shpallë pafajësinë tënde. Por, nëse ke bërë një gabim, duhet t’i kërkosh falje Zotit dhe të përkulesh para Tij, sepse kur njeriu i drejtohet Zotit duke pranuar mëkatin e tij, Allahu ia pranon pendimin dhe e mëshiron.” Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbaroi fjalën e tij, m’u thanë lotët plotësisht dhe nuk mbeti absolutisht asnjë gjurmë prej tyre. Në atë kohë, unë pashë babain tim (Hazret Ebu Bekri r.a.) dhe i kërkova që të përgjigjej në emrin tim, por ai tha: “Pasha Zotin! Nuk di çfarë t’i them të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..” Më pas i kërkova nënës sime që t’i përgjigjej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në emrin tim dhe ajo gjithashtu tha: Pasha Zotin! Unë nuk di çfarë të them në përgjigje të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..” Hazret Aishja r.a. thotë: “Në atë kohë, isha një vajzë e re dhe nuk dija shumë nga Kurani, megjithatë i thashë: “Për Zotin, unë jam në dijeni për fjalët që njerëzit kanë përfolur për mua, të cilat ju i dini dhe ndoshta i besoni e i konsideroni të vërteta. Prandaj, nëse unë mbroj pafajësinë time dhe Allahu e di që me të vërtetë jam e pafajshme, megjithatë ju do të më dyshoni. Por nëse e pranoj veten si fajtore, pavarësisht se Allahu e di se unë jam e pafajshme, ju do të më besoni. Pasha Zotin, unë e shoh veten time dhe tuajën sikur në gjendjen e babait të Jusufit a.s., i cili tha:
فَصَبْرٌ جَمِيلٌ ۖ وَاللَّهُ الْمُسْتَعَانُ عَلَىٰ مَا تَصِفُونَ
Nuk më mbetet veçse durim i bukur! Vetëm Allahut mund t’i kërkohet ndihmë për atë që tregoni.[11]
Me të thënë këtë, u ktheva në anën tjetër të shtratit dhe në atë kohë isha e bindur se Allahu i Lartësuar do të shfaqë shumë shpejt pafajësinë time. Por, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të zbritej një shpallje për të më liruar nga akuzat. Nuk e konsideroja veten të denjë për t’u përmendur në Kuran. Mendova se ndoshta Allahu do t’i tregonte të Dërguarit të Tij s.a.v.s. ndonjë ëndërr në gjumë në lidhje me këtë. Mirëpo, pasha Zotin, i Dërguari i Allahut a.s. nuk e kishte lënë ende ngritur nga vendi i tij, as nuk ishte larguar ndonjë person tjetër i familjes, kur e pushtoi gjendja mbizotëruese që ai përjetonte gjatë zbritjes së shpalljes. Edhe pse ishte një ditë e ftohtë, djersët i binin çurkë nga fytyra. Pas njëfarë kohe kjo gjendje iu largua dhe i Dërguari i Allahut a.s. buzëqeshi dhe gjëja e parë që më tha ishte: “O Aishe! Falëndero Allahun sepse Ai ka vërtetuar pafajësinë tënde.” Mbi këtë, nëna ime më tha menjëherë: “O Aishe! Çohu dhe shko te i Dërguari i Allahut.” Por, unë i thashë: “Pasha Zotin, nuk do të shkoj te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Unë do t’i shpreh mirënjohjen time vetëm Allahut. Ajeti që ishte shpallur atëherë ishte:
إِنَّ الَّذِينَ جَاءُوا بِالْإِفْكِ عُصْبَةٌ مِّنكُمْ ۚ
Ata që sajuan shpifjen janë një grup prej jush.[12]
Hazret Ebu Bekr Siddiku r.a. (babai i Hazret Aishes r.a.), i jepte rregullisht Mistah ibn Uthathes paratë për shkak të varfërisë së tij dhe lidhjes së afërt farefisnore. Por u vërtetua pafajësia ime, ai u zotua se meqë Mistahu ishte përfshirë në përhapjen e shpifjes ndaj meje, andaj nuk do t’i jepte atij më asnjë mbështetje. Por, menjëherë pas zotimit të tij, Allahu i Plotfuqishëm shpalli këtë urdhër:
وَلَا يَأْتَلِ أُولُو الْفَضْلِ مِنكُمْ وَالسَّعَةِ أَن يُؤْتُوا أُولِي الْقُرْبَىٰ وَالْمَسَاكِينَ وَالْمُهَاجِرِينَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ ۖ وَلْيَعْفُوا وَلْيَصْفَحُوا ۗ أَلَا تُحِبُّونَ أَن يَغْفِرَ اللَّهُ لَكُمْ ۗ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
“Dhe nuk duhet të zotohen të begatët dhe të pasurit prej jush për të mos u dhënë diçka të afërmve, nevojtarëve dhe muhaxhirëve në rrugën e Allahut. Duhet që ata të falin dhe të tolerojnë. A nuk doni që Allahu t’ju falë ju?! Allahu është shumë Falës, shumë Mëshirëbërës.”[13]
Atëherë Hazret Ebu Bekr es-Siddiku r.a. tha: “Vërtet! Pasha Zotin, sigurisht që do të doja të gëzoja faljen e Allahut.” Dhe kështu, Hazret Ebu Bekri r.a. rifilloi mbështetjen e Mistahut.” Hazret Aishja r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte pyetur Hazret Zejnep bint Xhehesh r.a. për mendimin e saj për mua. I Dërguari i Allahut a.s. e pyeti: “O Zejnep! Cili është mendimi yt për Aishen?” Hazret Zejnepja r.a. u përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Unë i ruaj veshët dhe sytë e mi, dhe Aishen e konsideroj një zonjë të virtytshme.”
Hazret Aishja r.a. thotë: Kjo ishte e njëjta Zejnep, e cila garonte me mua në çdo çështje dhe sillej si rivalja ime. Mirëpo, për shkak të devotshmërisë së saj, Allahu i Lartësuar e shpëtoi atë nga pjesëmarrja në këtë shpifje.”[14]
Ky është një hadith i gjatë që është përmendur në Sahihun e Buhariut.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë: “Ashtu siç Zoti i Madhërishëm e ka përfshirë në atributet e Tij që Ai i pezullon profecitë për ndonjë ngjarje të premtuar, për shkak të pendimit, kërkimit të faljes, lutjes dhe sadakasë, po ashtu Ai ia ka mësuar njeriut të njëjtat atribute. P.sh. Kurani Famëlartë dhe hadithet tregojnë se kur hipokritët nga poshtërsia kishin bërë një shpifje kundër Hazret Aishesr.a., në këtë shpifje ishin përfshirë edhe disa sahabë të thjeshtë. Njëri prej këtyre sahabëve ishte ai që ushqehej për dy vakte te shtëpia e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Për shkak të këtij gabimi, Hazret Ebu Bekri r.a. ishte zotuar se nuk do ta ushqente më si ndëshkim për këtë veprim të ulët. Në këtë rast u shpall ajeti:
وَلْيَعْفُوا وَلْيَصْفَحُوا ۗ أَلَا تُحِبُّونَ أَن يَغْفِرَ اللَّهُ لَكُمْ ۗ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
Duhet që ata të falin dhe të tolerojnë. A nuk doni që Allahu t’ju falë ju?! Allahu është shumë Falës, shumë Mëshirëbërës.[15] Atëherë Hazret Ebu Bekri r.a. e prishi zotimin dhe ia filloi prapë vaktet si zakonisht. Është për këtë arsye, është pjesë e moralit islam që nëse dikush zotohet për të bërë një veprim si ndëshkim, thyerja e atij zotimi është pjesë e moraleve të larta. P.sh. nëse dikush zotohet për shërbëtorin e tij se ai do ta godasë atë pesëdhjetë herë me këpucë, falja e tij për shkak të pendimit dhe lutjes së sinqertë është zakoni islam, në mënyrë që تخلق بأخلاق الله) (të përvetësojë cilësitë e Allahut). Megjithatë, nuk lejohet të thyhet premtimi; dikush do të mbahet përgjegjës për shkeljen e premtimit, por jo për shkeljen e një zotimi për ndëshkim”.[16]
Çfarë është dallimi midis وعده pra premtimit, dhe وعيد pra premtimit të një ndëshkimi është një temë me vete, e cila është shpjeguar më parë.
Beteja e Ahzabit
Tani dua të përmend betejën e Ahzabit e cila u zhvillua në 5 hixhri. Kjo ishte beteja e tretë më e madhe midis Kurejshëve të Mekës dhe muslimanëve. Kjo betejë njihet edhe si Beteja e Hendekut dhe u zhvillua në muajin Shahvval të vitit 5 hixhri. Meqenëse kurejshët dhe hebrenjtë nga Hajberi dhe fiset e tjera të ndryshme ishin mbledhur që të gjithë për të sulmuar Medinën, prandaj në Kuranin Famëlartë kjo luftë njihet si beteja e Ahzabit. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e syrgjynosi fisin hebre Benu Nedhir, ata shkuan drejt Hajberit. Disa burra nga pleqtë e tyre si dhe njerëz të shquar të fisit shkuan në Mekë. Ata kuvenduan me kurejshët dhe i nxitën të luftojnë kundër Profetit s.a.v.s.. Ata bënë një marrëveshje me Kurejshët dhe të gjithë ranë dakord për të luftuar kundër Profetit s.a.v.s. dhe caktuan gjithashtu një datë për këtë betejë.
Më pas, këta përfaqësues të fisit Benu Nedhir u larguan nga Kurejshët dhe shkuan në fiset Ghatfan e Sulejm dhe lidhën një marrëveshje të ngjashme me ta dhe në fund u kthyen në Hajber. Kurejshët filluan përgatitje dhe gjithashtu mobilizuan ushtarët nga fise të tjera arabe dhe kështu ngritën një ushtri prej 4000 ushtarësh. Ebu Sufjan ibn Harbi ishte komandanti i tyre. Gjatë lëvizjes së ushtrisë, iu bashkuan edhe fise të tjera dhe numri i përgjithshëm i personave arriti shifrën 10.000. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu ishte informuar për nisjen e kësaj ushtrie nga Meka dhe kështu ai mblodhi shokët e tij dhe i njoftoi për planin e armikut dhe u kërkoi këshilla prej tyre. Hazret Selman el-Farisiu dha sugjerimin për hapjen e një hendeku, i cili u pëlqeu të gjithë muslimanëve. Në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., veriu i Medinës ishte një fushë e hapur, ndërsa në të gjitha anët e tjera kishte shtëpi apo pemëtore nëpër të cilat armiku nuk mund të kalonte. Dhe kështu, u vendos që të hapej një hendek drejt veriut të Medinës për të mbrojtur qytetin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. së bashku me 3000 muslimanë filluan të gërmonin hendekun. I Dërguari i Allahut a.s. po gërmonte hendekun së bashku me muslimanët e tjerë, në mënyrë që pjesëmarrja e tij të ngrinte shpirtin dhe guximin e tyre. E gjithë gropa u hap në gjashtë ditë. Kjo hendek ishte afërsisht 6000 jard ose 5,5 kilometra e gjatë.[17]
Hazret Ebu Bekri r.a. qëndroi përkrah Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Gjatë mihjes së hendekut, Hazret Ebu Bekri r.a. mbarte dheun me rrobat e tij dhe punonte së bashku me shokët e tjerë për hapjen e hendekut, në mënyrë që kjo detyrë të përfundonte sa më shpejt brenda kohës së caktuar. Asnjë musliman nuk mbeti prapa në mihjen e hendekut. Kur Hazret Ebu Bekri r.a. dhe Hazret Omeri r.a. nuk gjenin ndonjë shportë për të mbajtur dheun, ata e mbartin në prehrin e tyre. Ata të dy qëndronin bashkë gjatë gjithë kohës.[18] I Dërguari i Allahut s.a.v.s. punoi jashtëzakonisht shumë gjatë mihjes së hendekut. Ndonjëherë ai mihte me kazmë ose qëronte dheun me lopatë ose nganjëherë mbushte koshat me dhe.
Një ditë puna e rëndë e rraskapiti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe u ul duke u mbështetur në një shkëmb në anën e majtë. Gjatë kësaj kohe, Ai ra në gjumë dhe Hazret Ebu Bekri r.a. e Hazret Omeri r.a. qëndruan pranë tij. Ata i ndalonin njerëzit të mos kalonin pranë tij, e t’ia prishnin gjumin.[19]
Kur ushtria e fuqishme prej 10,000 ushtarëve nga Kurejshët dhe aleatët e tyre rrethuan Medinën, Hazret Ebu Bekri r.a. udhëhiqte një pjesë të ushtrisë muslimane. Më vonë, në atë vend ku Hazret Ebu Bekri r.a. komandonte ushtrinë, u ndërtua një xhami dhe ajo u quajt Xhamia “Sidik”.[20]
Unë do të vazhdoj ta trajtoj këtë temë edhe në të ardhmeh. Insha-Allah
Namazi xhenazes në mungesë
Tani dua të përmend disa anëtarë të cilët kanë ndërruar jetë.
- Mubareka Begum, 93 vjeç,
E para është e nderuar znj. Mubareka Begum Sahiba, e cila ishte bashkëshortja e Mukhtar Ahmed Gondel Sahibit. Ajo ka ndërruar jetë më 11 janar 2022 në moshën 93 vjeçare. (Vërtet, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi).
Vjehrri i saj quhej Çaudri Ghulam Muhammed Gondal Sahib r.a., një sahab i Mesihut të Premtuar a.s.. E ndjera i shërbeu Xhematit me shumë zell e pasion; dhe kreu detyrën si kryetare e Laxhna për fshatin e saj, Çek 99 Jug. Ajo ishte e rregullt në faljen e namazit dhe agjërimin, ishte e virtytshme, kujdesej për të varfrit dhe ishte shumë e sinqertë. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo ua mësoi Kuranin si fëmijëve ashtu edhe të rriturve. Ajo ishte një Musje (pra anëtare e sistemit të Vesijetit). Ajo ka lënë pas 5 djem dhe 3 vajza.
Një nga djemtë e saj është Iftikhar Ahmed Gondel Sahib, që shërben si misionar në Sierra Leone, dhe një tjetër misionar Fevad Ahmad ishte nipi i saj. Përveç kësaj, ajo ka nipër të tjerë të cilët janë misionarë apo kanë dedikuar jetë në shërbim të fesë. Allahu i Madhëruar e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerën dhe lutjet e saj i pranoftë në favor të pasardhësve të saj!
- Mir Abdul Vahid, 58 vjeç
Përmendja tjetër është për Mir Abdul Vahid Sahib, i cili ndërroi jetë në natën ndërmjet 12 dhe 13 janarit 2022. (Vërtet, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi).
Ai ishte 58 vjeç. Familja e të ndjerit pati kontaktin e parë me xhematin nëpërmjet gjyshit të tij të madh nga babai, Mir Ahmed Din Sahib, i cili pranoi xhematin gjatë kohës së Hazret Khalifatul Masih I r.a. në vitin 1911. Ai ishte i vetmi ahmedian në familjen e tij. Në mënyrë të ngjashme, nga ana e nënës së tij, gjyshi i tij nga nëna, Shejh Allah Baksh Sahib nga Bennu, pranoi xhematin për herë të parë. Gjyshi i Mir Abdul Vahid Sahibit nga babai ishte Abdul Kerim Sahib. Ai bënte Tabligh (thirrje) me zell të madh, prandaj gjyshi i tij njihej zakonisht me emrin Molvi Abdul Karim në Peshawar. Ai bëri shumë studime personale dhe kishte ngritur një bibliotekë personale. Sipas kunatit të të ndjerit, në vitin 1974, kur një delegacion shkoi para Kuvendit nën udhëheqjen e Hazret Khalifatul Masih III r.a., disa libra të rrallë ishin siguruar nga biblioteka e tij.
Më 9 shtator 2020, një akuzë e rreme për blasfemi, sipas nën 295c, ishte ngritur kundër familjes së të ndjerit. Si rrjedhojë e kësaj akuze të rreme, klerikët dhe njerëzit e tjerë rrethuan shtëpinë e tyre. Megjithatë, policia mundi ta shpëtonte atë dhe familjen e tij në atë situatë dhe i çoi në Ravelpindi. Disa ditë më vonë, policia bastisi shtëpinë e tyre në Ravelpindi dhe arrestoi djalin e tij Abdul Mexhid Sahib. Allahu i dhuroi Mir Abdul Vehid Sahibit dy djem dhe një vajzë.
Njëri nga djemtë e tij Abdul Mexhid Sahib, të cilin sapo e përmenda, është ende i burgosuri i ndërgjegjes në rrugën e Allahut. Ai ishte në burg kur babai i tij ndërroi jetë dhe nuk mundi të merrte pjesë (në varrim). Allahu i Madhëruar e faltë të ndjerin dhe e mëshiroftë atë dhe familjes së tij i dhuroftë durim e kurajë!
Djali i tij i burgosur është vetëm 20 vjeç. Allahu i Madhëruar e mundësoftë lirimin e tij të shpejtë!
- Sjed Vakar Ahmed Khan, 58 vjeç, ShBA
Përmendja e tretë është për të nderuarin Sjed Vakar Ahmad Sahib nga ShBA, i cili ndërroi jetë më 17 janar 2022 në moshën 58-vjeçare për shkak të sulmit kardiak. (Vërtet, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi).
Bashkëshortja e Vakar Ahmed Khan është stërmbesa e Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahibit r.a. (dmth. vajza e nipit të tij), dhe është vajza e mbesës së Hazret Mirza Sherif Ahmad Sahibit r.a.. Në këtë mënyrë, ajo është pjesë e familjes së Mesihut të Premtuar a.s.. Ajo është martuar në familjen Shah. Gjyshi i të ndjerit dr. Sjed Zuhur Shah sahibi pas daljes në pension, kishte dedikuar jetën në shërbim të fesë, madje gjatë kohë së Kalifit të Tretë, ai shërbeu si misionar për 3 vjet në ishujt Fixhi.
Bashkëshortja e të ndjerit, znj. Shazia Khan thotë: “Hazret Kalifatul Masih IV r.a. më inkurajoi të lutem në lidhje me martesën time. Pas lutjeve, kur u pajtova me këtë propozim, Hazret Kalifatul Masih IV r.a. pranoi këtë lidhje martesore.” Me fjalë të tjera, Hazret Kalifatul Masih IV r.a. e ka lidhur këtë martesë. Ajo shkruan: “Gjatë këtyre 33 viteve të martesës, Vakar sahibi më priu në çdo hap të jetës. Ai kujdesej për secilën nga nevojat dhe dëshirat e mia. Ai ishte një baba shembullor; ai kurrë nuk bëri asgjë për veten e tij dhe bëri një jetë të thjeshtë. Ai nuk kishte dëshira të veta, madje edhe nëse kishte, i sakrifikoi ato për hir të familjes së tij.” Ajo thotë: “Dita më e bukur për mua ishte kur ai me krenari i tha dikujt se shkon në xhami dhe përsërit betimin dhe se atij nuk i kishte asgjë më të rëndësishme sesa përmbushja e këtij betimi. Ai mund të sakrifikonte gjithçka për këtë betim. Këto nuk ishin thjesht fjalë goje, por unë vetë e kam parë. Ai u përball me një sprovë jashtëzakonisht të rëndë, megjithatë e ruajti këtë betim duke i dhënë përparësi besimit mbi çështjet e kësaj bote. Ai vazhdoi ta përmbushë këtë betim, dhe nuk e mori në konsideratë asnjë lidhje tokësore. Ai kurrë nuk doli jashtë bindjes së Kalifatit.”
Ajo thotë: “Edhe nëse nuk kuptonte ndonjë porosi, ai prapë e përmbushte atë, dhe nuk shkelte kurrë jashtë cakut të bindjes. Shpesh thoshte se detyra jonë është të jemi të bindur. Karakteri i tij shquhej nga mirënjohja dhe ai gjithmonë më këshillonte të bëja të njëjtën gjë. Ai kurrë nuk tregoi neglizhencë në ofrimin e sakrificave financiare.”
Djali i tij, Sjed Adil Ahmedi, i cili tani është misionar pasi u diplomua në Xhamia Ahmadiyya Kanada dhe mori gradën e tij Shahid, thotë: “Me mëshirën e Allahut, babai im ishte një person i thjeshtë dhe i sinqertë. Ai nuk shqetësohej aspak për veten e tij dhe gjithmonë mundohej t’u përgjigjej nevojave të fëmijëve të tij dhe nënës sonë. Ai kurrë nuk do të merrte ndonjë gjë të mirë për veten e tij, në fakt shpesh do t’i thoshim të shpenzonte edhe për nevojat e tij. Ai kishte një respekt të madh për misionarët dhe për sistemin-e-Xhematit.”
Vjehrri i tij, Mahmud Ahmad Khan sahibi, i cili është nipi i Hazret Mirza Bashir Ahmad sahibit r.a. dhe i Hazret Nevab Mubaraka Begum Sahibas r.a., shkruan: “Dhëndri im Vakar zotëronte virtyte të larta dhe dallohej për mirësjelljen dhe mikpritjen e tij.” Ai thotë: “Nuk e kam parë kurrë me fytyrë të vrenjtur, pavarësisht nëse i kishin ardhur shumë mysafirë apo edhe në kohë vështirësish.” Ai thotë: “Më kujtohet në fillim, ai e qortonte shpesh djalin e tij Adil për shkak të sjelljes së tij të pakujdesshme, por kur Adili e dedikoi jetën, sjellja e Vakarit ndaj tij ndryshoi kryekëput dhe ai zhvilloi një lidhje shumë të ngushtë respekti dhe nderi me të birin..”
Munir Ahmad Sahib, ish-Amiri i Xhematit në Abu Dhabi shkruan: “Vakar Sahib jetoi në Ebu Dhabi së bashku me familjen e tij derisa ishte angazhuar me punën këtu. Gjatë kësaj kohe, u forcuan edhe lidhjet e ngushta familjare. Me profesion ishte bankier. Thjeshtësia dhe natyra e tij e çiltër ishin cilësitë e tij më të spikatura. Ai ishte i lidhur fort me xhematin dhe sistemin e tij. Ai ushqente një dashuri të sinqertë dhe një bindje të thellë për Kalifatin.” Ai thotë: “Ai kishte vënë shtëpinë e tij në disponimin e xhematit, derisa të largohej përfundimisht në Amerikë. Banesa e tij përdorej për namazin e xhumasë dhe mbledhjet e tjera. Ai gjithashtu shërbeu si auditor i brendshëm i Xhematit.”
Po ashtu, Sjed Hashim Ekberi shkruan: “Unë kisha mundësinë të punoja me të dhe gjithmonë e gjeta atë të shoqërueshëm dhe të mbushur me entuziazëm për të ndihmuar të tjerët.” Allahu e mëshiroftë dhe e faltë të ndjerin! Allahu i mundësoftë fëmijëve të tij të jenë të virtytshëm dhe i pranoftë lutjet e tij në favor të tyre.
Pas faljes së namazit do t’i fal namazet e së xhenazes. Insha-Allah.
[1] Subul Huda, vëll. 4, f. 308, 309, Gazve Darul Kutub el-Ilmije, 1993.
[2] Ali Muhammed Salabi, Sjedna Ebu Bekr, Shekhsijet aur Karname (urdu), f. 113.
[3] I marrë nga Es-Siretul Halabije, vëll. 2, f. 357-361, Gazve Benun Nedhir, Darul Kutub el-Ilmija, 2002.
[4] Subul Huda, vëll. 4, f. 325, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 1993.
[5] Subul Hudan verr-Rrishad, vëll. 4, f. 337, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 1993.
[6] Si më lartë, e marrë nga Et-Tebekatul Kubra, vëll. 2, f. 46, Gazvetu Resulullahi s.a.v.s., Bedr el-Mo’id, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 2017.
[7] Hazret Mirza Bashir Ahmed, Siret Khatemun Nebijin, f. 529,530.
[8] Kitabul Megazi lil-Vakidi, vëll. 1, f. 341, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 2013.
[9] Et-Tebekat el-Kubra, vëll. 2, f. 48, Gazvetu Resulilahi s.a.v.s. el-Murejsi’, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 1990.
[10] el-Bidaje ven-Nihaje, vëll. 4, f. 169,170, Gazve Benu Mustalik, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut.
[11] Kurani Famëlartë 12:19.
[12] Kurani Famëlartë 24:12.
[13] Kurani Famëlartë 24:23.
[14] Sahihu i Buhariut, Kitab: Es-Shehadat, bab: Ta’dilun-Nisa’i ba’duhune ba’den, hadith numër 2661.
[15] Kurani Famëlartë 24:23.
[16] Zemima Brahini Ahmedia, vëll. 5, Ruhani Khazain, vëll. 21, f. 181.
[17] E marrë nga Et-Tabakatul Kubra li-Ibn Sa’d, vëll. 2, f. 50,51, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 2017.
[18] Subulul-Huda verr-Rishad, vëll. 4, f. 365, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 1993.
[19] Subulul-Huda verr-Rishad, vëll. 4, f. 367, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 1993.
[20] Haxhi Hakim Gulam Nebi, Sejeduna Sidik Ekber, f. 41, botuar nga RR Printers, Lahore, 2010.